
Importi dominoi tregun, prodhuesit e birrës vendase paralajmërojnë shkurtime punonjësish
Birrat e importit vijojnë të zgjerojnë terren në tregun shqiptar.
Për 2024, birra e importit zuri 61% të tregut bazuar në të dhënat e Doganave për prodhimin dhe importin.
Administratori i fabrikës së prodhimit të birrës së markës “Kaon”, Artan Stroka, tha se për 2024 prodhoi më pak birrë se në vitin 2023 për shkak të rënies së kërkesës.
Sipas tij, që prej 2023, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore për rritjen e akcizës, tendenca për shitje e birrës vendase është në rënie, për shkak të humbjes së konkurrueshmërisë.
“Në supermarkete ka një dyndje të markave të huaja të birrës. Numri i tyre shtohet nga viti në vit.
Kjo pasi çmimet e shitjes së birrës së importit janë më të lira sesa prodhimi vendas. Sot në supermarkete, çmimi për 1 kanoçe birrë vendase varion nga 95 deri në 100 lekë kundrejt 79 deri në 89 lekë për kanoçe që shitet birra e importit.
Për shkak të kostove të larta, veçanërisht nga rritja e akcizës, e kemi të pamundur të konkurrojmë në çmime”.
Zoti Stroka thotë se edhe me fillimin e sezonit turistik nuk pritet të këtë rritje të ndjeshme të kërkesës, pasi prodhuesit vendas nuk janë në gjendje të përballojnë konkurrueshmërinë në çmime. Për këtë arsye, z. Stroka pohoi se është i detyruar të shkurtojë rreth 30% të stafit për 2025.
“Para ndryshimeve fiskale për rritjen e akcizës së birrës në fabrikë numëroheshin 170 të punësuar. Pas rritjes së akcizës në 2023, numri i punonjësve u shkurtua 50% nga shtimi i kostove. Pas muajit maj parashikojmë të shkurtojmë 1/3 e stafit të mbetur për shkak të mospërballimit të kostove dhe mungesës së shitjes”, nënvizoi Arta Stroka, i birrës “Kaon”.
Edhe Xhim Begeja, drejtues i Shoqatës së Mikrobirrave Artizanale Shqiptare, por edhe operator i vogël në treg i birrës “Puka”, me kapacitet prodhues 700 deri në 750 litra në ditë, vijon të pohojë me shqetësim se prodhimi artizanal është drejt zhdukjes nga kostot e larta pas dyfishimit të akcizës.
Z. Begeja tha se rëniet e prodhimit për secilin operator në 2024 variojnë nga 8 deri në 10% krahasuar me 2023, teksa mbetet shqetësim rënia e konsumit për shkak të çmimeve më të lira që ofrohen nga importuesit e birrave.
Importet në 2024 u rritën me 7% krahasuar me 2023 sipas të dhënave të Doganave. Prodhimi u rrit me 11% krahasuar me vitin paraardhës. Në 2023 u prodhua një sasi prej 34 mln litra birra, sasia më e ulët në dekadën e fundit (vitet 2013-2023).
Nga 1 janari 2023, kompanitë shqiptare po paguajnë dyfishin e akcizës së birrës. Ndryshimi i akcizës shtoi edhe 22% kostot e prodhuesve, që prej kohësh vuanin rritjen e kostove nga shtrenjtimi i lëndës së parë të birrës malto, materialeve ambalazhuese dhe rritjes së pagave të punonjësve.
Për shkak të mospërballimit të kostove 3 muaj në 2023, disa fabrika mbyllën përkohësisht prodhimin. Sipas të dhënave të Doganave, sasia e birrës së prodhuar në muajt janar-mars 2023 u ul me 22% krahasuar me 2022.
Ndërsa fabrika e birrës “Stela” e themeluar që në vitin 1994, për shkak të humbjeve financiare dhe vështirësive për të mbuluar kostot operacionale pas rritjes së akcizës, u shit te kompania e importit të pijeve “Eurolab Internacional Grup”.
Pas përfundimit të transaksionit në janar 2025, pronarët e rinj kanë planifikuar të ruajnë prodhimin e markës “Stela”, duke rritur kapacitetin 4-5 herë. Përparësi do të kenë eksportet, ndërsa birra do të vijojë të shitet edhe në tregun vendas.
Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel, akciza ishte 710 lekë. Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.
Ndryshimet në ligjin e akcizës, që unifikuan tarifën prej 710 lekë për hektolitra për të gjithë prodhuesit, u kundërshtuan nga Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e la në fuqi ligjin në korrik 2024, duke e cilësuar atë proporcional. Shoqata ka njoftuar se do ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Strasburgut.
/Monitor (https://monitor.al/importi-dominoi-61-te-tregut-prodhuesit-e-birres-vendase-paralajmerojne-shkurtime-punonjesish/)
Më të lexuarat









